Jo më, o Zot s'kam njeri që të më ndihmojë, POR Zot të kam Ty dhe gjithë botën. NUK JAM VETEM (E diela e Paralitikut)

Tashmë që jemi pagëzuar dhe jemi anëtarë të Trupit të Krishtit, nuk mund të themi si tha i paralizuari s'kam njeri që të më ndihmojë, POR Zot të kam Ty dhe gjithë botën. NUK JAM VETEM.



E diela e katërt e Pashkës është quajtur “E Diela e Paralitikut”dhe i është përkushtuar kujtimit të një mrekullie e cila historikisht i përket kohës së hershme të Jisu Krishtit.


Pjesa e Ungjillit Joani (5:1-15)
Sot kisha mediton rreth saj, sepse është një nga mrekullitë më të mëdha (nëse mund të dallojmë mrekullitë e mëdha dhe të vogla). E quajmë atë mrekulli të madhe për shkak të sëmundjes serioze që kishte zgjatur për një kohë të gjatë dhe rrethanave të shërimit të saj, sepse kjo mrekulli mban dëshminë e autoritetit të Shpëtimtarit mbi trupin njerëzor në një mënyrë të veçantë.

Në Mbrëmësoret e së Dielës ne këndojmë: “O Krisht, Perëndi i mëshirshëm, Ti erdhe dhe shërove vuajtjen e njeriut”.
Ai që mposhti vdekjen në trupin e Tij ka fuqi mbi gjithë njerëzimin. Kjo është arsyeja pse shërimi i paralitikut, ndoshta jo kronologjikisht, por më së fundi shpirtërisht, zë vend në periudhën e Pashkës.
Evidenca e shërimit të paralitikut lexohet në Liturgjinë Hyjnore nga Ungjilli i Shën Joanit (5:1-15). Në Jerusalem afër pellgut Vithseda Jisui pa një grup të sëmurësh që prisnin lëvizjen e ujit nga një engjëll i Zotit. Kjo dukuri ndodh në një moment të caktuar dhe pasi ndodh personi i parë i sëmurë që futet në ujë shërohet. Ndërmjet këtyre njerëzve të sëmurë ishte një burrë që kishte vuajtur nga paraliza për 38 vjet. Jisui e pyeti nëse donte të shërohej. Ai u përgjigj se nuk kishte asnjë njeri ta ndihmonte të futej në pellg dhe gjithnjë shkelej nga të tjerët. Jisui i tha atij: “ngrihu, merr krevatin tënd dhe ec”. Burri u shërua menjëherë. Judenjtë protestuan se shërimi u bë të shtunën. Jisui e gjeti burrin në tempull dhe i tha atij: “Mos mëkato më”.

Këtu shohim fuqinë e Jisuit mbi sëmundjen dhe gjithashtu lidhjen midis sëmundjes fizike dhe mëkatit. Ne nuk na thuhet se ky njeri ishte i sëmurë për shkak të mëkatit, por Jisui i tha atij: “Mos mëkato më”.
“Mos mëkato më, që mos të të gjejë ndonjë e zezë më e madhe” (Joani 5:14).



Vithesdha-Pagëzim-Kishe
Etërit e shenjtë shohin një raport midis kolimvithrës (banjës) në Vithesdha dhe kolimvithrës së kishës, d.m.th. të Pagëzimit të shenjtë. Gojarti i Hyjshëm thotë se Zoti me këtë mrekulli bën një aludim të Mistereve të Pagëzimit. Këto nuk janë shkruar rastësisht dhe thjesht, por e paraqesim dhe e nënvizojmë përsa do të ndodhi në të ardhmen: “Krishti do të na jepte pagëzimin, që do të kishte fuqi të madhe dhe do të ishte për ne një dhuratë e madhe, pagëzimin që do të lante e shpëlante gjithë mëkatet tona e nga të vdekur do të na sillte në jetë”.
Ujërat e Vithesdhasë kishin veçori mrekullibërëse dhe jo veçori llixhe, sepse nuk bëheshin mirë të gjithë sa hynin në ujë, por i pari që hynte pas tundjes së ujit nga engjëlli. Edhe uji i pagëzimit pranon fuqinë e pakrijuar të Pernëdisë nëpërmjet të cilës njeriu bëhet pjesë e Trupit të Krishtit. Kolimvithra e Pagëzimit është mitra e Kishës. Ashtu si në mitrën e nënës njeriut zihet, ritet dhe lind, ashtu dhe në mitrën shpirtërore të Kishës njeriu zihet, rritet dhe lind shpirtërisht dhe bëhet pjesëtar i kishës. Në kolimvithrën e Vithesdhasë bëhen mrekulli, por mrekullitë ndodhnin tek një njeri në një çast të caktuar dhe me energjinë e engjëllit. Me shfaqjen e Krishtit të gjitha këto kushte ndryshuan. Ai vetë është shpëtimi i cili u jepet të gjithëve dhe në çfarëdo çasti mjafton që njeriu ta dojë.

Por meqë Pagëzimi është Misteri hyrës dhe nëpërmjet atij bëhemi pjesëtarë të Kishës, për këtë kolimvithra e Vithesdhasë simbolizon Kishën e Krishtit. Brenda në Kishë ekziston vazhdimisht hiri i Pernëdisë Triadike dhe i shëron të gjithë. Vithesdha do të thotë shtëpi mëshirë dhe pikërisht kjo është Kisha. Kisha nuk është një organizatë njerëzore, por një organizatë Perëndinjerëzore, nuk është një korporatë njerëzore, por një Trup Perëndi-njerëzor. Gjithçka brenda saj është misterioze dhe për këtë bëhen vazhdimisht mrekulli. Edhe një “Mëshiro o Zot” që dikush e thotë me besim bëhet shkak i marrjes së Hirit Hyjnor. Kisha është një Pentikosti e vazhdueshme, brenda së cilës shërohen njerëzit dhe ngjallen të vdekurit. E ndjejmë Kishës si infermieri prandaj të sëmurët ndjehen rehat, ndërsa “besimtarët” kërkojnë vende të tjera, organizata të tjera njerëzore që të shprehin besimin e tyre (organizata shoqërore, punë filantropike etj).


Periudhë Pentikostie dhe Ungjilli i Apostullit Joan
Përveç simbolizimit të raportit që përmendëm njohja e Ungjillit sipas Joanit që lexojmë gjithë këtë periudhë bëhet për dy arsye kryesore:

Së pari; Ungjilli i katërt, në kishën e parë, rezervohej për të krishterët e përsosur të cilën e kishin pastruar zemrën e tyre nga pasionet dhe ishin të zotët të pranonin misteret e Mbretërisë bazë të Kishës. Në këtë Ungjill përmenden pak mrekulli që bëri Krishti të cilat lidhen me Misteret bazë të Kishës. Është Ungjill i lartë pasi paraqiten të vërtetat se Krishti është Fjala e Perëndisë, Drita dhe jeta e njerëzve. Njeriu duke studiuar Ungjillin e katërt e ndjen mirë atë që thotë Shën Grigor Pallamai se Krishti është Teologu i vërtetë, sepse si fjalë e Pernëdisë na zbuloi “Emrin e Perëndisë-At dhe vullnetin e Tij”.

Së dyti, në këtë periudhë lexohet Ungjilli i katërt, sepse pagëzimet masive të të krishterëve bëheshin, siç dihet të Shtunën e Madhe. Besimtarët luteshin gjithë kreshmën për katekistët dhe për ndriçimin e tyre të shenjtë që të pastroheshin nga pasionet, të lehtësoheshin nga metodat e djallit dhe të merrnin: “ndriçim mendimi dhe shpresëtari”. Pagëzimi ndryshe quhet Ndriçim, sepse njerëzit marrin Dritën e Vërtetë, Krishtin, dhe janë të ndriçuarit e vërtetë. Por edhe katekistët kalonin nga stadi i pastrimit gjatë të cilit mësoheshin të dallonin energjitë e Pernëdisë nga energjitë e krijesave e sidomos të djallit. Kjo bëhej me leximin e tre ungjijve të parë. Pas Pagëzimit të Shenjtë, pasi merrnin ndriçimin, mund të kuptonin më mirë kuptimin e thellë të fjalës së Perëndisë (të bashkuar me Fjalën e Perëndisë) dhe për këtë periudhë lexohej ky ungjill teologjik i pashoq.

Lidhja e brendshme e Ungjillorët Joan me Krishtin (ra në gjoksin e Tij gjatë Darkës Mistike) dhe të Tërëshenjtën (e mori në shtëpinë e tij dhuratë të Krishtit për të) na dha këtë Ungjill teologjik që Kisha urdhëroi të lexohet në këtë periudhë të gëzimit të Ngjalljes.

Krishti takon të paralizuarin
Zoti u ngjit në Jerusalem e duket se ishte i vetëm, pa nxënësit. U gjend në kolimvithrën (banjën) e Vithesdhasë, që do të thotë shtëpi mëshire-dhimbshurie, d.m.th shtëpi e dashurisë. Këtu Perëndia me një mënyrë të mbinatyrshme tregoi dashurinë e Tij tek njerëzit. Vithesdhaja ishte një vend i shenjtë, një vend faljeje i shenjtëruar, siç thonë në traditën tonë Orthodhokse.

Krishti  takohet me një të paralizuar që ishte i shtrirë për 38 vjet. Me durim dhe stoicizëm priste shërimin e tij. Nga dialogu i Zotit me të paralizuarin kostatojmë se paraliza e tij ishte rezultat i mëkatit të tij. Ishte i vetëm. Secili shihte veten ose të afërmit të sëmurin e tyre. Përpiqeshin kush do të hynte i pari në ujë kur engjëlli ta trazonte.

Shërimi i dëshirës te njeriu mëkatar
Zoti iu afrua të paralizuarit dhe e pyeti: “A dëshiron të shërohesh?” (Joani 5:6). Do të thonim se një pyetje e tillë ishte e tepërt, madje dhe bezdisëse për njeriun, megjithatë ishte kushti bazë për mrekullinë që pasoi. Pamë se sëmundja e të paralizuarit ishte rezultat i mëkatit të tij dhe mëkati është rezultat i sëmundjes e dëshirës. Me dëshirën tonë (lirinë) marrim dhuratat hyjnore të Krijuesit që secili nga ne ka në thellësi të shpirtit të tij kundrejt Perëndisë.

Para se të kryejmë mëkatin, dëshira jonë shfaq fuqitë e pafundme që fshihen brenda nesh dhe ndjehemi kaq të fortë sa të matemi dhe me vetë Perëndinë. Por, pas kryerjes së mëkatit, njeriu bëhet i dobët, leckë dhe gjendet i flakur në rrugën pa krye të paralizës së tij shpirtërore.

Që paralitiku të shërohet dhe në përgjithësi njeriu i sëmurë duhet të dojë të mohojë mëkatin e tij. Kjo do të thotë se me dëshirën e Tij çliron fuqitë e tij shpirtërore dhe i rivë në orbitën e shoqërisë së tij me dashurinë e Pernëdisë. Krishti për këtë e pyet të paralizuarin: “A dëshiron të shërohesh?” Është e njëjta gjë sikur ta pyeste: “A beson se mund të bëhesh mirë?”
“Zot nuk kam njeri”.
Në pyetjen e Zotit i paralizuari i përgjigjet: “Zot, nuk kam njeri që kur të tundet uji të më shtyjë në banjë” (Joani 5:7). Në kolimvithër vërehen shumë njerëz, një asfiksi me njerëz dhe megjithatë nuk u gjend asnjë “i afërt” i të paralizuarit që të kujdesej për të.

I paralizuari dukej se kishte shumë durim pritshmëri dhe dashuri, jo vetëm për sëmundjen e tij, por edhe për sjelljen egoiste të njerëzve të tjerë. Prova e kishte ndihmuar të ndjente atë se mëkati e bën njeriun të pavlefshëm. Kishte mësuar në 38 vjetët e sëmundjes së tij të miqësohet me njerëzit dhe t’i pranonte siç ishin; egoistë, indiferentë, mëkatarë, ndryshe do të prishej bota nga britmat, protestat dhe të sharat kundër të tjerëve.

Shprehje e mëkatit dhe e egoizmit është se vazhdimisht shajmë dhe dënojmë të tjerët. Merremi me të tjerët dhe mënjanojmë përvojën e mëkatit tonë. Me përvojën dhe mirësinë e tij i paralizuari tregoi se zemra e tij kishte pranuar vizitën e dashurisë së Krishtit.


Shërimi mrekullues i paralitikut
Krishti e shëroi të paralizuarin me mrekulli, pasi largoi shkakun e sëmundjes, mëkatin, me falje dhe dashuri. Mëkati na bind që t’i besojmë vetes e jo Pernëdisë, sidomos kur ndjejmë fuqi e shëndet dhe rregullimin tonë ekonomik e profesional. Këtë rrezik paraqiste edhe i paralizuari pas shërimit të tij nga Krishti, d.m.th. të harronte përsëri Perëndinë, madje të përdorte fuqitë e tij të bollshme kundër Perëndisë. Zoti e paralajmëroi paralitikun e shëruar për këtë rrezik kur i tha:
“Ja, u shërove! Mos mëkato më, që mos të të gjejë ndonjë e zezë më e madhe” (Joani 5:14).
Gojëdhënat e kishës na thonë se kjo gjë e keqe u bë tek i paralizuari i shëruar. U mbështet kaq shumë në fuqitë e tij trupore që i dhuroi Krishti me mrekullinë, sa përdori duart e tij të shëruara për të rrahur Krishtin gjatë kohës së hetimit gjyqësor. Është fjala për shërbëtorin e kryepriftit Anania që rrihte Zotin dhe për këtë Krishti, që deri atëherë “heshtte”, në këtë rast i tha: “Po të kem folur keq, trego se ku është e keqja, por, po të kem folur mirë, përse po më bie?” (Joani 18:23 ).

Krishti me mrekullitë e tij na zbuloi se funksionimi fizik i ekzistencës sonë gjendet në shoqërimin tonë personal me Perëndinë. Krishti na dhuron kurdoherë ekzistencën tonë të ngjallur që nuk mbijeton biologjikisht, por rron nga shoqëria e dashurisë me Zotin e Ngjallur.



Marrë nga libri: "Viti Liturgjikal"

No comments:

Post a Comment