PAQE MBI JU - E Diela e Shën Thomait, e dyta pas Pashkës

E diela e dytë e kohës së Pashkës është quajtur “e Diela e Thomait”. Ajo i kushtohet një episodi lidhur me ngjalljen e Krishtit. Kisha jonë do ta cojë vëmendjen tonë te qëndrimi i Apostull Thomait, një qëndrim i cili ishte përkohësisht mosbesues dhe më pas thellësisht i besues. Episodi tregohet në Ungjill, i cili lexohet në Liturgjinë Hyjnore (Joani 20:19-31). Në mbrëmje të ditës ose në Ngjallje, Zoti ynë iu shfaq nxënësve të vet ndërsa ishin mbledhur bashkë. Dyert ishin të mbyllura dhe papritur Jisui ishte në mes të tyre.
Pas tregimit të përmbajtjes të ardhjes së Krishtit te nxënësit dhe tek Apostull Thomai, do të ndalemi në veçanti te një frazë që u tha Krishti nxënësve, e cila dhe atëherë, por dhe tani ka rëndësi të madhe për njerëzit. Kjo fjalë është: “Të keni paqe”.




“Paqe mbi ju”
Në Javën e Madhe kaloi para nesh e gjithë ligësia njerëzore e shumëformëshme: frika, gënjeshtrat, smira, intrigat, shpifjet, tradhtia, projekte të shumëllojshme, u shfaq rreth Krishtit të vuajtur gjithë mizoria njerëzore në kulmin e saj.
Por, shpejt, pas tri ditësh, skenari ndryshon. Kalojmë në vendin ku kryeson Ngjallja, d.m.th. triumfi i të vërtetës mbi gënjeshtrën, i pafajësisë mbi ligësinë, i gëzimit mbi dhimbjen, i shpresës mbi dëshpërimin. Zoti i Ngjallur me paraqitjet e tij të përsëritura, krijoi “klimën e Pashkës”. Edhe ne në temën e sotme, duke pasur si drejtues këtë tekst, do të gjendemi midis Nxënësve të privilegjuar, që kanë midis tyre të Ngjallurin.

“Dhe në mbrëmje të po asaj dite, që ishte e para e javës, duke qenë të mbyllura dyert atje ku ishin mbledhur nxënësit, nga frika e Judenjve, Jisui erdhi e ndenji aty në me, e u tha atyre: Paqe mbi ju! Dhe si tha këtë, u tregoi atyre duart e brinjën. Nxënësit, pra, kur panë Zotin, u gëzuan.

Atëherë Jisui u tha atyre përsëri: Paqe mbi ju! Ashtu si Ati më dërgoi mua, edhe unë po ju dërgoj ju. Dhe si tha këto, fryu mbi ta e tha: Merrni Shpirtin e Shenjtë. atyre që do t’u falni mëkatet, do t’u jenë falur; dhe atyre që nuk do t’ua falni, do t’u mbeten të pafalura.
Por Thomai, i mbiquajtur Binjaku, një nga të dymbëdhjetët, nuk ishte me ta kur erdhi Jisui. Nxënësit e tjerë pra i thanë: Pamë Zotin! Por ai u tha atyre: Në qoftë se nuk shikoj në duart e tij shenjën e gozhdëve, dhe të vë gishtin tim në shenjën e gozhdëve, dhe t’i vë dorën në brinjën e tij, nuk do të besoj.
Dhe pas tetë ditësh, nxënësit e tij ishin përsëri në shtëpi, dhe Thomai ishte me ta. Vjen Jisui, megjithëse dyert qenë të mbyllura, dhe qëndroi në mes tyre, e tha: Paqe mbi ju! Pastaj i tha Thomait: vëre këtu gishtin tënd dhe shikoi duart e mia; sille dorën dhe vëre në brinjën time; mos u bëj i pabesë, por besimtar. Thomai iu përgjigj e tha: Zoti im dhe Perëndia im! Jisui i tha: Sepse më pe, besove; lum ata që nuk panë dhe besuan”
(Joani 20:19-29).


"Paqe mbi ju!”
Të 11 nxënësit ishin të grumbulluar  “në sofitë” në dhomën e sipërme në Jerusalem. Papritur “me dyer të mbyllura”, pa u dhunuar dyer e dritare, si një “fllad i lehtë”, paraqitet Zoti dhe qëndron midis tyre. Sigurisht, kjo shfaqje e papritur e Krishtit krijoi te nxënësit, që ishin ende të ndikuar nga ngjarjet e Pësimeve, njëfarë tronditjeje. Gojarti i hyjshëm rreth kësaj ngjarje komenton: 

“Habia që provuan nxënësit me shfaqjen e Zotit ishte e madhe, sepse as derën e mbyllur dhunoi, por papritur erdhi dhe qëndroi në mes  tyre. Njëkohësisht edhe me zërin e tij qetësoi mendimet e tyre duke thënë: Paqja mbi ju, d.m.th. mos u frikësoni, mos u tronditni, duke u kujtuar po të njëjtin inkurajim që u kishte drejtuar para ngjarjeve të Kryqit: “Po ju lë paqen, po ju jap paqen time”.
(Joani 14:27)

“Paqe mbi ju!” ishin fjalët e para që dolën nga goja e shenjtë e Zotit pas Ngjalljes, në takimin solemn me nxënësit e Tij. Përshëndetje, por njëkohësisht edhe bekim. Një bekim që ndryshoi rrënjësisht të gjithë psikologjinë e nxënësve. Rrezet e diellit të paqes dhe të gëzimit shpërndanë menjëherë rrezet e zeza të frikës, që nga ngjarjet tronditëse të ditëve të mëparshme ishin grumbulluar në shpirtin e nxënësve.
Nuk ishte një përshëndetje e thjeshtë tipike siç praktikonin hebrenjtë, por një bekim i shenjtë me një përmbajtje të thellë që transmetonte te nxënësit dhe besimtarët e gjithë shekujve të mirat shpëtimtare dhe të çmuara që pasuan flijimin mbi kryq dhe ngjalljen e Zotit.
“Që të jemi në gjendje paqeje me Perëndinë dhe njerëzit,
ky është fillimi dhe burimi i çdo të mire në jetën tonë”.

Dhe përsëri “Paqe mbi ju” përsëritet si hyrje në vend të shpërblimit të nderit të peshës së Apostolisë (misonit, dërgimit) që u beson. Janë ata që do të maten në betejat me armiqtë e Krishtit. Paqja përbën gjendjen bazë shpirtërore në çdo vepër apostolike dhe për çdo punëtor.
“Paqe me ju”. Zoti nuk vjen i nderuar, por paqësor.
Shpërthimi i pashembullt i urrejtjes dhe i egërsisë së judenjve i kishte thyer shpirtërisht nxënësit. Në veshët e tyre ushtonin akoma fjalët: “Të kryqëzohet”.
Pamja e Mësuesit të tyre mbi kryq “midis dy kusarëve” nuk ishte e lehtë të shuhej nga sytë e tyre. Gjëra të tilla dhe gjëra kaq tragjike nuk mund t’i harronin dhe të rimerrnin guxim. Për këtë Zoti nuk vjen që t’i kritikojë për besimin e pakët, për frikën për qëndrimin në përgjithësi të nxënësve gjatë kohës së Pësimeve. Përkundrazi, merr përsipër të shpërndajë frikën e tyre, të ngrejë moralin e tyre. Në asnjë nga shfaqjet e tij nuk bën kritika. Vjen si Bari i dhembshur të mbledhë delet e Tij të shpërndara. Dhe është sikur thotë: “Mjaft me frikë, me dyshime, me skandalizime që provokoi Kryqi im. Mjaft me armiqësinë midis qiellit dhe dheut”.




Ç’është paqja?
Një filozofi e pasur është zhvilluar për paqen dhe shumë “shoqata paqeje” deklarohen e realizohen. Bëhen “marshime paqeje”, festohet “vit paqeje”. Megjithatë paqja, paqja botërore në planetin tonë, ngjan me një ëndërr të parealizueshme. Edhe paqja, edhe marrëdhëniet paqësore lokale në shkallë të gjerë e të ngushtë nuk realizohen. Për këtë Shën Isodor Pilusioti thotë: “Emri i paqes është kudo, realiteti asgjëkundi”.

Përse? Sepse të gjithë morën rrugë të gabuar duke kërkuar thesarin e humbur të paqes. Paqja është një mirësi shpirtërore që nuk fitohet e nuk ruhet me mënyra antishpirtërore.
“Balancimi i tmerrit” dhe “Shpejtësia” e armatimeve, me shuma astronomike që i vënë në dispozicion, nuk i shërbejnë emrit të ëmbël dhe asaj që quhet paqe.

  Nga Libri "Viti Liturgjikal"

No comments:

Post a Comment